Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka filluar programin disaditor të trajnimit për stafin dhe trajnerët që do të jenë pjesë e organizimit të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, përcjell KosovaPost.
Në një njoftim zyrtar, KQZ ka theksuar përkushtimin për një proces zgjedhor të drejtë, transparent dhe profesional. Sipas KQZ-së, trajnimet kanë për qëllim përgatitjen e të gjithë personave të angazhuar në fazat kyçe të zgjedhjeve, duke përfshirë hapjen e qendrave të votimit, mbikëqyrjen e procesit dhe numërimin e votave.
“Ky program garanton që stafi i përfshirë në procesin zgjedhor të jetë i përgatitur profesionalisht për të përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë ligjore,” thuhet në njoftim.
Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës po afrojnë dhe KQZ vazhdon përgatitjet me intensitet të lartë, duke siguruar se qytetarët do të kenë një proces zgjedhor të besueshëm dhe demokratik.