Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është mbledhur të shtunën në mbrëmje dhe ka vendosur të ndryshojë datën e tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 28 dhjetor 2025.
Sipas vendimit të ri, procedura e shortit, e cila fillimisht ishte paraparë për 8 dhjetor, do të mbahet një ditë më herët — më 7 dhjetor 2025, të dielën, me fillim nga ora 14:00.
Drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, bëri të ditur detajet e këtij ndryshimi, duke theksuar se për ceremoninë janë ftuar të gjithë përfaqësuesit e subjekteve politike.
“Kjo ceremoni do të mbahet të dielën në ora 14:00 dhe për këtë janë ftuar përfaqësuesit e subjekteve politike”, deklaroi ai.
Ky short përcakton renditjen e partive dhe koalicioneve në fletëvotim, një proces me rëndësi për organizimin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.


























