Krerët e Lidhjes Europiane për Ndryshim, Afrim Gashi, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, bashkë me këshilltarin e kryeministrit Kurti për Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku, në Uashington janë takuar me senatoren Joni Ernst – bashkëkryetare e Grupit për Çështjet Shqiptare të Senatit Amerikan dhe Kryetare e Komitetit të Republikanëve për Politikë në Senat.
Sic thuhet në komunikatën e LEN-it, në këtë takim u shpreh qëndrimi i qartë se shqiptarët mbeten të vendosur për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-në dhe BE-në, si opsioni i vetëm që siguron paqe dhe stabilitet në rajon.
“Temë kryesore e diskutimit ishte përshpejtimi dhe finalizimi i integrimit të vendit në BE dhe ndikimet gjeopolitike në rajon. Në këtë periudhë, kur vazhdon tentativa e Serbisë për destabilizimin e Kosovës, nuk duhet lënë hapësirë që kjo të krijojë zona krize në Ballkan, sepse ajo u shërben interesave ruso-serbe, që nuk ua duan të mirën shqiptarëve. Liderët e Lidhjes siguruan senatoren Ernst se ky koalicion do të jetë faktori më serioz dhe i vetëm i cili do ta mundësojë integrimin e vendit në BE, me çka do të ndryshohet status quoja e instaluar në njëzet vitet e fundit. Ditëve në vijim vazhdojnë edhe takimet e tjera të liderëve të Lidhjes me zyrtarë të lartë në Uashington”, thuhet në njoftimin e LEN-it.