Kryeministri suedez, Ulf Kristersson deklaroi sot se blerja e armëve amerikane nuk përbënte rrezik sigurie për vendin e tij, ndërsa theksoi se Evropa duhej të reduktonte varësinë e saj nga sistemet amerikane të mbrojtjes, sipas “Reuters”.
Ndërsa Kristersson pranoi përvojën pozitive të Suedisë në bashkëpunimin me industrinë e mbrojtjes së SHBA-së, ai sugjeroi gjithashtu se Evropa mund të përfitonte nga reduktimi i varësisë së saj nga Uashingtoni për armë dhe pajisje mbrojtëse.
Deklarata e Kristersson vjen mes shqetësimeve në rritje brenda Evropës në lidhje me varësinë e saj nga SHBA-ja, veçanërisht në kuadër të vendimit të fundit të Kanadasë, aleatit të NATO-s, për të rishikuar kontratën e saj me kompaninë amerikane të prodhimit të armëve “Lockheed Martin” për avionë luftarakë.
Lëvizja e Kanadasë është një përgjigje ndaj tensioneve tregtare dhe shqetësimeve të sigurisë që lindin nga marrëdhënia e saj me administratën Trump.
Në një samit të Bashkimit Evropian në Bruksel, ku udhëheqësit diskutuan mënyrat për të forcuar aftësitë ushtarake të Ukrainës dhe BE-së, Kristersson iu përgjigj pyetjeve nëse blerja e armëve amerikane mund të përbënte rreziqe sigurie.
“Jo, nuk do ta thosha këtë”, tha ai, duke theksuar bashkëpunimin e suksesshëm që Suedia ka pasur me SHBA-në në sektorin e mbrojtjes.
“Si industria suedeze e mbrojtjes dhe shumë vende të tjera evropiane do të përfitonin nga të qenit më pak të varura nga industria e mbrojtjes së SHBA,” tha ai, duke nënvizuar rëndësinë e vetëmjaftueshmërisë në mbrojtje./ATSH