Gjatë seancës të së enjtes në Kuvendin e Kosovës, në mungesë të kuorumit, dështoi miratimi i tri marrëveshjeve ndërkombëtare. E krejt kjo po shihet si një dëm i madh për ekonominë e vendit.
Janë të thirrur për të votuar ligjet.
Por për muaj me radhë, marrëveshjet ndërkombëtare dështuan të miratohen në mungesë të kuorumit.
Kjo për shkak të përplasjes së deputetëve pozitë e opozitë.
Këto marrëveshje nuk u miratuan as në seancën e së enjtes.
E krejt kjo, po vlerësohet se dëmshme për ekonominë e vendit.
Sipas ekonomistit Bashkim Mustafa, vendi ka mbetur mbrapa sa i përket zhvillimit ekonomik global.
“Mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga Kuvendi i Kosovës është një lajm jashtëzakonisht i keq për ekonominë e Kosovës sepse kemi të bëjmë me financimin e ekonomisë së gjelbër dhe rritjes së ekonomisë së gjelbër ku organizatat globale komplet fokusin e kanë në financimin e kësaj veprimtarie të re që është. Ndërsa ne kemi mbetur shumë mbrapa larg rajonit dhe larg zhvillimeve ekonomike globale”, tha ekonomisti Bashkim Mustafa.
E nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thonë se në këtë mënyrë, nuk po respektohet vota e qytetarit.
“Pjesëmarrja e deputetëve në seancat të cilat duhet që ata të votojnë e jo vetëm për marrëveshjet ndërkombëtare është një obligim që ata i obligon Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe mbi të gjitha vota e qytetarit që i kanë besuar që ata t’i përfaqësojnë në Kuvend. Andaj një qasje e tillë nga secili deputet, qoftë opozitë apo pozitë është një mosrespekt ndaj votës së qytetarit”, tha Melos Kolshi nga IKD.
Në mungesë të kuorumit, në seancën e së enjtes, Kuvendi s’arriti ta kalojë as Projektligjin për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe organizatat e grupit të Bankës Botërore.
Ndërsa marrëveshja e tretë që dështoi të miratohej ishte ajo për kredi mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia diellore fotovoltaike në KEK – Porta Globale.