Njohës të rrethanave politike në vend, kritikojnë legjislativin për mos efikastitet të punës. Bojkotim i seancave parlamentare nga partitë e përfshira në Kuvend, mos prezenca e deputetëve apo edhe vonesat e tyre në seanca shpërfaqin papërgjegjësinë e deputetëve, thonë njohës të rrethanave politike në vend. Po ashtu, organizatat të cilat monitorojnë punën e Kuvendit, kanë theksuar se mos-prezenca e deputetëve në seanca të jashtëzakonshme, është shkelje kushtetuese.
Njohës të rrethanave politike kanë kritikuar sjelljen e deputetëve në Kuvend. Mos-prezenca e tyre në seancat e paralajmëruara, bojkoti në tërësi i seancave, apo edhe mos konfirmimi i tyre më votë se janë prezentë, kanë shpërfaqur papërgjegjësinë e tyre.
Njohësi i rrethanave politike në vend, Artan Muhaxhiri, thotë se të njëjtit janë duke e shfrytëzuar buxhetin e Kosovës, pa asnjë kontribut. Rrjedhimisht, po paguhen kot.
“Për fat të keq tashmë në Kuvend ekziston një gjendje tragjiko – komike, kryesore është si t’i lihet faji njëri- tjetrit për mosfunksionimin e Kuvendit. Deputetët janë duke marrë rroga kot, janë duke shfrytëzuar buxhetin e Kosovës pa asnjë kontribut dhe për mos realizim të asnjë detyre që e kanë obligim. Është për keqardhje të madhe mjerimi politik në të cilin ka rënë Kuvendi i Kosovës”, ka thënë Artan Muhaxhiri.
Deri më tani, partitë e përfshira në legjislaturën e tetë nuk kanë treguar gjuhë të përbashkët as për çështjet me interes nacional. Të paktën, kështu e sheh situatën njohësi Dritëro Arifi. Profesor Arifi thotë se partia në pushtet nuk e ka kuptuar se çfarë është shumica parlamentare, po ashtu deputetët nuk po e kuptojnë peshën ligjore e politike që e kanë.
“Tek e fundit, këta deputetë me sjellje primitive, janë të deleguar te qytetarët për të zgjidhur probleme, jo për t’u ankuar dhe për t’u krenuar sa vota i kanë pasur dhe sa kanë m’i marrë. Kjo është një qasje primitive e gjithë legjislaturës, sidomos, e kësaj legjislature. Pra, nuk e kuptojnë, peshën, rëndësinë dhe obligimin edhe ligjor edhe politik që e kanë ndaj qytetarit”, ka deklaruar Dritëro Arifi.
Seancat e Kuvendit të Kosovës gjatë sesionit vjeshtor janë përcjellë në vazhdimësi me mungesë kuorumi, bojkot të seancave apo edhe vonesa të deputetëve.
Partia në pushtet, bojkotoi se fundmi 4 seanca të jashtëzakonshme të thirrura nga opozita.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi thonë se mospjesëmarrja e deputetëve të mazhorancës në seancat e jashtëzakonshme është shkelje kushtetuese derisa vetëm pas vërejtjeve të tyre, kryeparlamentari Konjufca u pa duke udhëhequr dy seancat e fundit të thirrura nga opozita./rtk