Edhe gjatë ditës së sotme Kompani Rajonale e Ujësjellësit, ‘’KRU’Prishtina’’ është duke u kujdesur që qytetarët në Prishtinë të furnizohen me ujë të pijshëm.
‘’KRU Prishtina” të hënën ka siguruar furnizimin e qytetarëve me ujë të pijshëm përmes autoboteve: Në rrugën “C”, në Hajvali, në Graçanicë te banesat sociale dhe në rrugën “Muharrem Fejza”.
Theksojmë se gjatë ditës së sotme Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) njofton popullatën se është duke bërë monitorimin dhe përcjelljen në vazhdimësi të cilësisë së ujit të Liqenit akumulues të Badovcit.
Analizat e fundit laboratorike tregojnë për rënie të vlerave referente të manganit në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndarës, por që, ende nuk janë arritur vlerat sipas standardeve të parapara në Udhëzimin administrativ nr. 10/2021 – Cilësia e Ujit për konsum nga njeriu.
Po ashtu është bërë e ditur se Ekipet e IKSHPK-së janë në terren 24/7 dhe po bëhen çdo ditë analiza fiziko-kimike të ujit të prodhuar në Fabrikën që furnizohet nga Liqeni akumulues i Badovcit dhe qytetarët do të njoftohen me kohë për normalizimin e parametrave referent të ujit të pijshëm.


























