Në prani të kryeministrit Albin Kurti, në hapësirën e Institutit për Dokumentimin e Krimeve të Luftës në Kosovë është bërë pranim-dorëzimi i dokumenteve të para të këtij instituti.
Kryeministri Kurti me këtë rast falënderoi kryetarin e Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të zhdukurve të Kosovës, Ahmet Grajçevci, si dhe të drejtorit ekzekutiv Avdi Hetemi, për punën e pakursyer të tyre për rolin e tyre ndër vite, si dhe për ceremoninë e pranim-dorëzimit të dokumenteve të para në këtë institut.
Kryeministri Kurti foli për angazhimin dhe sakrificën e popullit tonë për liri e pavarësi, sidomos në vitet ’90-ta.
“Ne po angazhohemi që të bëjmë më të mirën që mundemi që të adresojmë gjithë atë çfarë ka ndodhur gjatë luftës së fundit në vendin tonë.”, deklaroi Kurti, teksa shtoi më tej se funksionalizimi i këtij instituti është një obligim që po përmbushet ndaj kujtesës sonë si popull dhe ndaj kërkesës sonë për drejtësi.
“Krahas institucioneve shtetërore, nga sot, të gjithë ata që kanë dëshmi për krimet e kryera nga Serbia e kanë Institutin që i pret materialet e dëshmitë e mbledhura. Që sot ju ftoj të gjithëve te bashkoheni në këtë nismë te rëndësishme, qëllimi është i përbashkët për ruajtjen e kujtesës kolektive”, deklaroi Kurti.
Drejtuesi i këtij Instituti, Atdhe Hetemi, tha se në këtë ditë historike për Republikën po shënojnë edhe një moment vendimtarë në rrugëtimin drejtë të vërtetës historike. “Kjo ditë nënkupton edhe një zotim për të mos i harruar kurrë viktimat. Në dy dekadat e fundit, institucione, organizata, individë gazetar e media kanë dhënë dëshmi e, me këtë akt, inkurajojmë te gjithë ata që mbajnë dëshmi të bashkëpunojnë me ne.
Ndërkohë kryetari i Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, Ahmet Grajçevci, i cili deponoi dosje qindrafaqesh si dëshmi për krimet serbe tha se nuk ka qenë punë e lehtë, por me gëzim të madh e ka pritur këtë ditë. “Shumë dëshmi kanë humbur duke u bartur nga vendi në vend në pamundësi për t’i ruajtur.
Apelojmë te të gjithë që kanë materiale t’i deponojnë ato, meqë tash e 25 vjet kemi pritur të kemi një institut”