Kryeministri në detyrë i vendit, Albin Kurti ka kujtuar me nderim civilët e vrarë në Reznik dhe në masakrat e kryera para 26 vitesh në Mojstir e Cërcë te Istogut, në Popovë të Podujevës, në malet e Çabiqit e në Polac.
Me anë të një postimi në Facebook, ai tha se janë shumë të rënda masakrat ndaj civilëve të paarmatosur e të pambrojtur, përpjekja e Serbisë për t’i zhdukur gjurmët e kufomat, si dhe vonesa e drejtësisë.
“Në fshatin Reznik të Vushtrrisë, më 6 prill 1999, katër njësi të forcave të armatosura të Serbisë hynë me dhunë në katër shtëpitë e vëllezërve Ujkani. Në kohë të njëjtë, vranë nëntë anëtarë të kësaj familje. Pastaj vazhduan sulmin brutal duke hyrë me dhunë në familjet Mustafa, Makiqi dhe Bunjaku. Kujtojmë me nderim civilët e vrarë në Reznik dhe në masakrat e kryera para 26 vitesh në Mojstir e Cërcë te Istogut, në Popovë të Podujevës, në malet e Çabiqit e në Polac. Janë shumë të rënda masakrat ndaj civilëve të paarmatosur e të pambrojtur, përpjekja e Serbisë për t’i zhdukur gjurmët e kufomat, si dhe vonesa e drejtësisë.”, ka shkruar ai.
“Institucionet e drejtësisë duhet të angazhohen që urdhërdhënësit e ekzekutuesit të akuzohen, gjykohen dhe dënohen qoftë edhe në mungesë. Në njërën anë janë punët hetimore që duhet bërë Prokuroria, ndërsa në anën tjetër është trysnia ndërkombëtare ndaj Beogradit për t’i hapur arkivat e luftës.”, u shpreh Kurti.
“Përkujtimi i viktimave dhe dëshmorëve të luftës, krahas së qenuri obligim moral, është edhe detyrë institucionale, që të mos lejojmë kurrë që e vërteta të zbehet në harresë. Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!”, tha mes të tjerash kryeministri në detyrë, Albin Kurti.