Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar politikanin serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, i cili u vra më 16 janar të vitit 2018, transmeton Kosova Post.
Nëpërmjet një video-mesazhi, Kurti tha se mendimet dhe ngushëllimet e tij janë me familjen dhe miqtë e Ivanoviqit.
Kurti shtoi se Ivanoviqi ka qenë “një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij në Mitrovicë ndërsa këtë e ka bërë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord”.
“Pesë vjet më parë, Oliver Ivanoviq u vra në rrugët e Mitrovicës. Të gjithë ata që kryejnë një krim në Kosovë duhet të dalin para drejtësisë dhe më vjen keq që autorët dhe ata që e kanë porositur këtë krim ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë. Nevojitet angazhim i të gjitha institucioneve përkatëse për të gjetur dhe dënuar përgjegjësit për vrasjen e tij”, theksoi Kurti.
Më tej, ai tha se vrasja e Ivanoviqit ndikoi në gjithë shoqërinë ngase ky krim vrau jo vetëm Ivanoviqin, por edhe pluralizmin politik te serbët në Kosovë.
“Kosova do të jetë e palëkundur në përkushtimin e saj për të qenë një shoqëri multikulturore dhe shumë etnike ku njerëzit ndihen të sigurt, mund të thonë mendimet e tyre dhe ta trajtojnë njëri-tjetrin me respekt, edhe nëse nuk pajtohen. Në këtë mënyrë të gjithë do ta ruajmë kujtimin e Oliver Ivanoviqit”, shtoi Kurti.
Familjarë, bashkëpunëtorë të afërt dhe qytetarë, kanë ndezur qirinj sot para selisë së Iniciativës Qytetare “Liri, demokraci, drejtësi” në veri të Mitrovicës, pikërisht në kohën kur kishte ndodhur vrasja e Ivanoviqit, pesë vjet më parë, në orën 8 e 15 të mëngjesit.
Ish-lideri i Iniciativës Qytetare “Liri, demokraci, drejtësi”, Oliver Ivanoviq, u vra më 16 janar të vitit 2018 me gjashtë plumba para selisë së partisë në veri të Mitrovicës, ndërsa edhe pas kësaj kohe, autorët si dhe urdhërdhënësit e këtij krimi mbeten të pa zbuluar./aa


























