Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për sulmin e të dielës në kryeqendrën e Turqisë, Ankara, ku mbetën të lënduar dy policë.
Sulmi ndodhi në afërsi të Parlamentit të Turqisë. Siç është njoftuar nga autoritetet turke, bëhet fjalë për sulm terrorist. Është thënë se një sulmues e ka hedhur veten në ajër, ndërsa një tjetër është neutralizuar.
“I trishtuar me të mësuar për sulmet terroriste në Ankara të Turqisë, por i lehtësuar se dëmi i synuar u shmang kryesisht falë institucioneve turke. Mendja jonë është me policët e lënduar dhe u urojmë shërim të shpejtë”, ka shkruar Kurti në platformën “X”.
























