Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) ku u mirëprit nga Drejtori Ekzekutiv Atdhe Hetemi, i cili prezantoi dhe dorëzoi raportin 1-vjeçar të punës së Institutit.
Gjatë kësaj vizite, kryeministri Kurti së bashku me ministrat Xhelal Sveçla, Albulena Haxhiu dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, të shoqëruar nga drejtori Hetemi, vizituan edhe depon arkivore të IKKL-së.
Kryeministri Kurti falënderoi z. Hetemi dhe stafin e tij prej 30 personave për mikpritjen, punën e deritanishme edhe për dorëzimin e raportit të punës. Ai pati rastin të shoh nga afër se si po ruhen materialet si dhe të njoftohet në detaje për planet e digjitalizimit të materialeve dhe dokumenteve arkivore që nëse i rendisnim si foldera në këmbë (vertikalisht) kapin një gjatësi prej 189.5 metra gjatësi dhe rreth 15 Terabajt (eng. Terabytes) sasi materialesh që përfshijnë videoxhirime, audioxhirime, fotografi që janë grumbulluar brenda nëntë muajve të fundit nga 67 burime të ndryshime. Në mesin e këtyre burimeve bëjnë pjesë ministritë, komunat, organizatat jo qeveritare, gazetarët, aktivistët e të drejtave të njeriut, por edhe koleksionist të ndryshëm.
Duke e cilësuar si punë jetike dhe vendimtare si për historinë tonë, ashtu edhe për drejtësinë, kryeministrit theksoi se përmes saj në njërën anë ne e kuptojmë të vërtetën historike në përmasën e saktë, ndërkaq në anën tjetër gjithashtu ky vend paraqet adresë shumë të rëndësishme për drejtësinë vendore dhe ndërkombëtare në mënyrë që viktimat të rehabilitohen, të zhdëmtohen sepse drejtësia e munguar është padrejtësi e vazhduar.
Kryeministri Kurti falënderoi edhe Agjencinë e Statistikave të Kosovës që në regjistrimin e fundit të popullsisë e ka vendosur edhe pyetjen për dëmet vuajtjet dhe humbjet që i kanë përjetuar qytetarët tanë gjatë luftës si dhe Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës që ka bashkëpunuar me Institutin dhe kanë kontribuar në këtë rezultat i cili iu dha në formën e raportit 1- vjeçar.
Drejtori Ekzekutiv i Institutit, Atdhe Hetemi, tha se ishte nder dhe privilegj vizita e kryeministrit Kurti të cilit ia dorëzoi raportin 1-vjeçar, duke shpresuar që do të vazhdojë ta kenë mbështetjen e Qeverisë edhe për vitin 2025 dhe të arrijmë suksese edhe më të mëdha.
Deklarimi i plotë i kryeministrit Kurti:
E falënderoj Drejtorin e Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovës, Atdhe Hetemin për mikpritjen, për dorëzimin e Raportit Njëvjeçar dhe për bisedën që patëm, si me të, ashtu edhe me bashkëpunëtorët e tij dhe stafin në përgjithësi, një staf prej 30 personave, ku tre prej tyre janë kandidatë për doktoraturë, ndërkaq katër janë me doktoraturë dhe, kur më kujtohet para nëntë muajve, ishim bashkë me Ahmet Graicevcin këtu, që është Kryetar i Këshillit të Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve dhe u bë pranim-dorëzimi i folderave të parë dhe çfarë pash sot këtë. Nuk kam se si të mos e përgëzoj për punën e madhe që ka bërë edhe drejtori edhe gjithë kolegët e tij këtu.
Unë sot erdha bashkë më ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, e cila vet është e mbijetuar e masakrës së familjes Bogujevci, Duriqi e Xhemshiti në Podujevë dhe me këtë rast pash se si po ruhen materialet, planet për digjitalizimin e këtyre materialeve dhe dokumenteve, ku gjithsej, nëse do t’i rendisnim si foldera në këmbë, do të bëhej një seri e tyre e gjatë 189 metra apo e thënë ndryshe 15.8 tera bajt. Pra, 15.8 tera bajt informacion është grumbulluar gjatë këtyre nëntë muajve, ku bëjnë pjesë videoxhirime, audioxhirime, fotografi dhe gjithashtu tekste të ndryshme në një gjatësi pra 189 metra të këtyre folderëve po të renditeshin në këmbë, e të cilët mbahen të sigurt këtu.
Janë 67 burime gjithsej nga është grumbulluar materiali e dokumentacioni. Këtu bëjnë pjesë ministritë, bëjnë pjesë komunat, organizatat jo qeveritare, gazetarët, aktivistët e të drejtave të njeriut, por edhe koleksionist të ndryshëm, të cilët kanë dorëzuar materialet e tyre në institutin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Është punë jetike dhe vendimtare si për historinë tonë ashtu edhe për drejtësinë për neve meqenëse në njërën anë ne e kuptojmë të vërtetën historike në përmasën e saktë mes këtyre dokumenteve ndërkaq në anën tjetër gjithashtu edhe ky paraqet një vend adresë shumë të rëndësishme për drejtësinë vendore dhe ndërkombëtare në mënyrë që viktimat të rehabilitohen, të zhdëmtohen sepse drejtësia e munguar është padrejtësi e vazhduar. Edhe një herë faleminderit shumë drejtor edhe shpresoj që gjithnjë e më shumë qytetarë të cilët kanë koleksionet e tyre të dokumentacionit dhe të materialëve e dëshmive të ndryshme, për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë do të vijnë në këtë adresë dhe i falënderoj të gjithë ata duke të cilët po i ruajnë ato dokumente e materiale sepse është një punë e vlefshme që e bëjnë për shtetin e Kosovës. Gjithashtu falënderoj edhe Agjencinë e Statistikave të Kosovës që në regjistrimin e fundit të popullsisë e ka vendosur edhe pyetjen për dëmet vuajtjet dhe humbjet që i kanë përjetuar qytetarët tanë gjatë luftës dhe falënderoj edhe Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës që në bashkëpunim me institutin kanë kontribuar në këtë rezultat i cili sot mu dha në formën e raportit 1-vjeçar.