Gjatë ditës së djeshme, disa media në Kosovë kanë raportuar se drejtuesit e shtetit si Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti nuk komunikojnë me krerët e shtetit shqiptar, si Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj dhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. E karvanit iu bashkuan edhe mediat matanë kufirit.
Por në një përgjigje për Syrin, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka hedhur poshtë këto pretendime, duke sqaruar se ura e komunikimit me liderët shqiptar është e mirë dhe se kanë bashkëpunim të dyanshëm.
“Pretendimet e raportuara në disa media në Shqipëri në lidhje me komunikimin e kryeministrit Kurti me krerët e shtetit shqiptar nuk janë të vërteta.
Komunikimi ynë institucional është i rregullt. Së fundmi, Presidenti Begaj ka qenë mysafir i veçantë i Republikës së Kosovës dhe i Kryeministrit Kurti në shënim të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës në qershor të këtij viti. I ftuar ka qenë edhe Kryeministri i Shqipërisë, Rama. Marrëdhëniet ndërshtetërore maten nga bashkëpunimi ndërshtetëror në fusha me interes të përbashkët për qytetarët në të dy republikat tona. Duke pasur këtë për qëllim, ndër të tjera kemi shtuar bashkëpunimin në energji me përurimin e bursës shqiptare të energjisë elektrike ALPEX, kemi funskionalizuar 26 vendkalime të veçanta kufitare për zonën kufitare me mbi 200 mijë banorë, në vitin e 2023 Shqipëria u bë partneri ynë kryesor tregtar, e unifikuam abetare dhe bashkë filluam punë për Enciklopedinë Shqiptare”, shprehet Kryeziu për Syrin.
Në anën tjetër është edhe Zyra e Shtypit të Presidentit Begaj tha se, “kreu i shtetit ka mbajtur që prej ditës së parë të marrjes së detyrës, kontakte të ngushta, të vazhdueshme dhe konstruktive me drejtuesit e Republikës së Kosovës, në çdo situatë, në çdo kohë dhe në mënyrë të veçantë, me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti”.
“Republika e Kosovës, shqiptarët në troje dhe më gjerë si edhe drejtuesit politikë të tyre, janë dhe kanë qenë prioritet i Presidentit që prej ditës së parë në këtë detyrë”, shtoi Zyra e Shtypit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë.