Bashkimi Evropian (BE) u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë në Mal të Zi që të punojnë për uljen e tensioneve dhe zgjidhjen e situatës aktuale, përmes konsultimeve dhe konsensusit të ndërsjellë, tha kryetarja e delegacionit të BE-së në Podgoricë, Oana Kristina Popa.
“Mali i Zi ka legjitimitet demokratik. Është shtet demokratik dhe duhet t’i zgjidhë problemet në institucionet shtetërore dhe jo në rrugë”, tha Popa.
Thirrja nga BE-ja vjen në kulmin e një krize politike të shkaktuar nga një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, i iniciuar nga zëvendëskryeministri, Dritan Abazoviq, si dhe nga propozimi i fundit i kryeministrit Zdravko Krivokapiq, që Kuvendit t’i shkurtohet mandati.
Thirrjes së BE-ja iu bashkua edhe Ambasada gjermane në Podgoricë, e cila me rastin e krizës aktuale politike theksoi se Mali i Zi duhet t’i zgjidhë problemet brenda institucioneve dhe jo në rrugë.
“Ambasadori Robert Weber pajtohet se Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare nuk do të vendosin se kush do të jetë në Qeverinë malazeze, porse shteti duhet të udhëheqë procesin dhe t’i zgjidhë problemet brenda institucioneve, jo në rrugë”, ka thënë të premten, më 21 janar, Ambasada e Gjermanisë në Mal të Zi, përmes një postimi në Facebook.
Kryetari i Kuvendit, Aleksa Beçiq, për 4 shkurt ka caktuar votimin, fillimisht për shkurtimin e mandatit të Kuvendit, e më pas për nismën për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë. Vendimi për shkurtimin e mandatit të Kuvendit ose për rrëzimin e Qeverisë merret me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.
Tensione politike përballë votimit
Debati në Komisionin Parlamentar për Sigurinë, mes deputetëve të dy partive në pushtet, Demokratëve dhe Lëvizjes qytetare URA, tregon se tensionet politike në Mal të Zi janë intensifikuar.
Gjatë diskutimit, deputeti demokrat Vladimir Martinoviq akuzoi drejtuesin e URA-s, Dritan Abazoviq për tradhti ndaj vullnetit elektoral të qytetarëve dhe për bashkëpunim me opozitën.
“T’ia marrësh popullit vullnetin elektoral është tradhtia më e madhe në historinë e Malit të Zi. Më herët u kam bërë thirrje që të mos e bëjnë këtë dhe të mos i detyrojnë qytetarët të dalin në rrugë për të mbrojtur vullnetin zgjedhor”, ka thënë Martinoviq, i cili ka theksuar se është për zgjedhje të parakohshme.
Deputeti i URA-s, Millosh Konatar ka hedhur poshtë vlerësimin se bëhet fjalë për tradhti ndaj vullnetit elektoral dhe u përgjigj duke akuzuar se një pjesë e shumicës parlamentare i trembet humbjes së mandateve.
“I njëjti rrëfim ishte edhe më parë, se është tradhtar ai që është kundërshtar i pozitave dhe i kolltukëve. Tani sërish po rrezikohen kolltukët dhe tani përmendet sërish tradhtia”, tha Konatar.