Kryeministri Kurti priti Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të cilën e njoftoi me zhvillimet politike e të sigurisë në Kosovë
Sipas një komunikate për medie të Qeverisë, në takimin e mbyllur për medie Kurti e njoftoi von der Leyen për takimin e 26 tetorit me liderët evropianë dhe qëndrimin e Kosovës në raport me propozimin e BE-së dhe SHBA-së.
“Duke i uruar mirëseardhje në ndërtesën e Qeverisë dhe kryeqytetin e Republikës, kryeministri Kurti falënderoi Presidenten e Komisionit Evropian, von der Leyen për përkushtimin e saj ndaj agjendës evropiane të Kosovës, teksa e njoftoi atë me rezultatet e deritanishme të qeverisjes, zhvillimet e fundit në vend, takimin e 26 tetorit me liderët evropianë dhe me qëndrimin e Kosovës në raport me propozimin e BE-së dhe ShBA-së për zbatimin e nenit 7, ndërlidhur me nenin 10 të Marrëveshjes Bazike”, thuhet në komunikatë.
Sipas njoftimit, Kurti kërkoi nga presidentja e KE-së që të ekstradohet Milan Radoicici në Kosovë për gjykim dhe të sanksionohet Serbia si masë parandaluese e sulmeve të ngjashme sikur ai i 24 shtatorit.
“Në lidhje me sulmin terrorist, paramilitar dhe kriminal të 24 shtatorit, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë dhe nevojën e ekstradimit të Milan Radoicic në Kosovë ku do të ballafaqohej me një gjykim fer dhe të drejtë për veprat e tij, dhe në të njëjtën kohë domosdoshmërinë e sanksioneve ndaj Serbisë në mënyrë që sulme të tilla mos përsëriten.
Në takim u fol edhe për Planin për Zhvillim të BE-së për Ballkanin Perëndimor, përfitimet e mundshme nga ai, si dhe për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe përparësitë e tij për rajonin, përkatësisht Ballkanin Perëndimor”, thuhet në komunikatë.
Ky ishte takimi i gjashtë ndërmjet Kryeministrit Kurti dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.