Sot në komunat veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq, Graçanicë dhe Zubin Potok, u zhvilluan seanca inauguruese dhe u betuan kryetarët e rinj dhe asamblistët e këtyre komunave, duke shënuar nisjen e mandateve të reja pas zgjedhjeve lokale.
Mitrovicë e Veriut
Kryetari i ri, Milan Radojevic, dha betimin dhe nënshkroi dokumentacionet me simbolet e Republikës së Kosovës. Seanca u karakterizua nga tensione të vogla, pasi një asamblist serb, vendosi flamurin e Serbisë para vetes dhe u ankua për praninë e policisë. Asamblistja shqiptare, Aida Doli, reagoi duke thënë se nuk ka arsye për frikë dhe pohimet e Jakshiq nuk përputhen me situatën në sallë.
Radojeviq ka pasuar Erden Atiqin.
Zveçan
Kryetari i ri, Dragisha Milloviq nga Lista Serbe, dha betimin dhe u pyet për respektimin e simboleve të Kosovës, duke thënë se “nuk flas sot, do t’i përgjigjem ditëve në vazhdim”. Ish-kryetari, Ilir Peci, ka bërë të ditur se nuk do të lejojë largimin e flamurit të Kosovës dhe fotografive të presidentes Osmani nga sallat e Kuvendit Komunal.
Leposaviq
Është betuar edhe Zoran Tadiq, kryetari i ri i Komunës së Leposaviqit.
Edhe në sallën e Kuvendit Komunal të Leposaviqit, ashtu si në kuvendet e komunave me shumicë serbe të tjera, kanë qenë flamuri i Kosovës dhe fotografia e presidentes, Vjosa Osmani.
Përreth e para Komunës së Leposaviqit janë para forca të Policisë së Kosovës, automjete të KFOR-it, EULEX-it dhe OSBE-së.


























