Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se Bashkimi Evropian ka vendosur masa padrejtësisht ndaj Kosovës. Kryeziu në platformën “X” tha se Kosova u fajësua padrejtësisht për përshkallëzimin në veri dhe shtoi se pasi shtensionimi ka ndodhur masat duhet të hiqen, përcjell KosovaPost.
Kryeziu në platformën “X” ka postuar dy foto nga Zveçani, një të trazirave në maj të vitit të kaluar ku protestuesit serbë sulmuan ushtarët e KFOR-it para objektit të Komunës dhe një foto tjetër e postoi të kryetarit të Zveçanit, Ilir Peci, duke u larguar së fundi nga objekti i Komunës pa u penguar.
“Rasti është i thjeshtë. BE-ja vendosi masa kundër Kosovës pasi na fajësoi, padrejtësisht, për përshkallëzimin që çoi te ngjarja në foton 1. Foto 2 tregon kryetarin e Zveçanit duke u larguar nga ndërtesa e njëjtë pa u penguar. Depërshkallëzimi ka ndodhur. Prandaj, masat duhet të hiqen”, ka shkruar Kryeziu.