Në moshën 90-vjeçare ka vdekur Antonio Belushi, prifti arbëresh që ka kontribuuar në çështjen kombëtare, e për vdekjen e tij Kryeministri i vendit Albin Kurti, ka shkruar se me hidhërim të thellë e ka marrë lajmin që miku i kahmotshëm, Protopresbiteri i Eparkisë së Lungrës, At Antonio Bellusci, ose zoti Ndoni siç e thërrisnin sivëllezërit e tij arbëreshë, shkoi në amshim, transmeton KosovaPost.
Kurti ka shkruar në faqen zyrtare të tij në rrjetin social Facebook se Antonio Belushi qe figura kyçe në komunitetin arbëresh në Itali, dhe një nga personalitetet më përbashkues mbarëshqiptar.
Ai tutje ka thënë se puna e tij në vitet ’60 për mbledhjen e materialeve etnografike e gjuhësore te arvanitasit e Greqisë qe e jashtëzakonshme.
“Ai hyri me mikrofonin e tij në shtëpitë e vëllezërve tanë për të imortalizuar gjuhën e tyre duke faktuar atë ekzistencë.
Antonio Belusci jetoi e punoi për çështjen arbëreshe, për çështjen shqiptare.
Nismat e tij nuk u ndalën deri në orët e fundit.
Në 1966 themeloi Revistën “Vatra jonë” në “San Costantino Albanese”, në 1980 Revistën “Lidhja në Cosenza”, si dhe botoi edhe dhjetëra vëllime e artikuj.
Për kontributin e tij të gjithanshëm u nderua nga Republika jonë, ku Presidentja znj. Vjosa Osmani-Sadriu i dha ‘Shtetësinë e nderit të Republikës së Kosovës’”, ka shkruar kryeministri.
Kurti është shprehur se në ndarje të këtilla nuk ka tjetër veç se mungesë të parikuperueshme.
“Ai, u kujdes të na lë pas një thesar të paçmueshëm. Shtëpia e tij në Frasnitë, biblioteka “A. Bellusci”, është sot pasuria e shumëfishtë, ku përveç mijëra vëllimeve mbi albanologjinë, ai themeloi aty edhe një vatër studimesh unike.
Mendimet tona shkojnë sot për familjen e tij, miqtë dhe të gjithë komunitetin arbëresh.
U bëftë emri, puna dhe vullneti i tij, burim frymëzimi për studiuesit e rinj e për secilin prej nesh!”, ka shkruar Kurti.