Pas pjesëmarrjes në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën, kryeministri në detyrë thotë se vendi kërkon rol edhe në organet vendimmarrëse politike; Qeveria ka ndarë 500 mijë euro për Gazën.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova është e interesuar të zgjerojë angazhimin e saj ndërkombëtar në misionet për paqe, duke synuar edhe anëtarësimin në Bordin e Paqes dhe në organet vendimmarrëse politike të forcave stabilizuese.
Duke folur para gazetarëve, Kurti tha se Kosova fillimisht ka nisur me pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën dhe më pas ka shprehur interesim për të qenë pjesë edhe e strukturave politike të kësaj force.
“Ne kemi filluar së pari me pjesëmarrjen tonë në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën. Kosova është përfaqësuar në Doha, në Katar, nga gjenerallejtënanti i FSK-së, Bekim Jashari. Kemi shprehur gatishmërinë tonë për të marrë pjesë në këtë forcë, ku FSK-ja është e mirënjohur për kërkim-shpëtim dhe deminim, por jo vetëm”, u shpreh Kurti.
Ai shtoi se përfshirja në misione të tilla duhet të pasohet edhe me rol në vendimmarrje.
“Meqenëse do të marrim pjesë në këtë forcë, kemi qenë të interesuar edhe për organet vendimmarrëse politike. Tash procesi do të ecë tutje. Unë jam kryeministër në detyrë, por kudo që ka nevojë për paqe në botë, ne dëshirojmë të kontribuojmë, sepse kemi qenë përfitues të paqes në vendin tonë nëpërmjet forcave ndërkombëtare”, theksoi ai.
Sipas Kurtit, Kosova synon të japë kontribut aktiv në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit global, duke marrë pjesë me kapacitetet dhe forcat e saj në misione të ndryshme ndërkombëtare.
Ai bëri të ditur gjithashtu se Qeveria e Kosovës ka ndarë më herët 500 mijë euro ndihmë financiare për Gazën, si pjesë e mbështetjes humanitare për rajonin.


























