Kandidati për kryeministër dhe kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka thënë se do të bisedojë fillimisht me presidenten aktuale, Vjosa Osmani për procesin e zgjedhjes së presidentit vitin e ardhshëm dhe pastaj edhe me opozitën.
I pyetur rreth çështjes së presidentit të ri, që duhet të zgjidhet në prill të vitit të ardhshëm, Kurti tha se “është tepër herët të flasim tani për këtë çështje”, teksa tha se tani është koha për festë.
“Ne duhet të flasim me opozitën për çështjen e presidentit apo presidentes të ardhshme, por siç e kam thënë mbrëmë në një emision në RTK, paraprakisht do të ulem e bisedoj me presidenten aktuale e pastaj do të ndërmarrë hapat e ardhshëm në mënyrë që të ecim përpara bashkë sepse dihet që sikurse për marrëveshje ndërkombëtare, ashtu edhe për presidentin, duhet të jemi në sallë 80 veta edhe nëse votojnë kundër. Ky nuk është as hapi i dytë, është hapi i tretë, paraprakisht certifikimi i zgjedhjeve që do të na jap përbërjen e saktë të legjislaturës së dhjetë, e që po besoj se do të ndodhë në janar 2026”, shtoi Kurti.


























