Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka mbajtur sot një konferencë për media, ku ka bërë të ditur se deri më tani në ministri për Punë të Jashtme dhe Diasporë, nuk ka asnjë njoftim se ndonjë shtet ka tërhequr njohjen ndaj Kosovës.
Sipas Kurtit, ky është vetëm një pretendim i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duke parë se e ka humbur mbështetjen e partnerëve perëndimorë.
“Mua më duken se janë më shumë përpjekje e Beogradit ku në një situatë ata i kanë humbur mbështetjet e demokracive perëndimore, të përpiqen të tregohen të suksesshëm me luftën e tyre, agresivitetin në arenën ndërkombëtare diplomatike kundër pavarësisë së Kosovës. Deri sot asnjëri prej pretendimeve që e kanë thënë në Beograd, konkretisht presidenti i Serbisë, nuk është vërtetuar nga MPJ-ja jonë”.
Tutje, ai shton se ndonëse Serbia nuk e njeh Kosovën, Kosova po shënon sukses gjithandej.
“Jemi shembull i suksesit. Kosova jo vetëm që është shtet i pavarur, por edhe aq shumë e pavarur nga mosnjohja e Serbisë. Kjo nuk duhet të harrohet dhe nervoza në Beograd vjen nga kjo lloj pavarësie e dyfishtë e Kosovës”.