Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se hapja e korridoreve të reja me Shqipërinë për fluturimet komerciale, sjell përfitime mjedisore, por edhe ul koston për udhëtarët.
Gjatë ceremonisë zyrtare për hapjen e korridoreve ajrore me Shqipërinë, Kurti tha se ky hap e sjell Kosovën më afër normalizimit të hapësirës së poshtme të saj ajrore.
“Duke shkurtuar trajektoren e udhëtimeve për dhe nga Kosova, koha e udhëtimit ulet prej 8 deri në 12 minuta. Reduktimi i kohës së fluturimit përkthehet në ulje të konsiderueshme të konsumit të karburantit, duke minimizuar kështu emetimin e dyoksidit të karbonit”, tha Kurti.
“Përtej përfitimeve mjedisore dhe infrastrukturore, koha e shkurtuar e fluturimeve sjell edhe përfitime për mërgatën tonë, rriten mundësitë për çmime më të përballueshme të biletave dhe për destinacione të reja për dhe nga aeroporti i Prishtinës”, shtoi ai.
Njoftimi për hapjen e korridoreve ajrore ishte bërë më 28 dhjetor të vitit 2023. Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha se hapja e rrugëve të reja ajrore për Kosovën u arrit pas një pune ekipore 15-mujore me autoritetet e Kosovës, Shqipërisë, por edhe me ndihmën e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.