Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka folur për situatën e tensionuar javët e fundit në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të vendit. Kurti është shprehur i shqetësuar për mundësinë e një ripërtëritjeje konflikti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryeministri ka thënë se rreziku ekziston pasi që sipas tij, në anën tjetër është Serbia e cila s’është penduar për krimet dhe s’ndryshon qëndrim ndaj Kosovës.
Ai s’ka lënë pa përmendur as arritjen e tri marrëveshjeve mes Serbisë e Rusisë në vitin që lamë pas.
“Po ka rrezik. Rrezik ka, sepse është Serbia. Jo sepse jam unë. Rrezik është sepse është Serbia në anën tjetër e cila nuk është penduar për krimet, nuk e ndryshon qëndrimin ndaj Kosovës dhe në vitin që porsa lamë pas i ka bërë tri marrëveshje shumë të rëndësishme me Rusinë. E para është ajo për blerjen e gazit më së liri në Evropë, E dyta është ajo për koordinim në politikën e jashtme ndërmjet (Nikola) Selakoviçit dhe (Sergey) Lavrovit në Neë York në margjinat e AP të OKB-së. Dhe e treta është që njeriun më prorus në Serbi, politikanin më prorus në Serbi, e barti shef të shërbimit sekret, Aleksandar Vulinin, përndryshe i njohur si zëvendëspresident i partisë së gruas së (Sllobodan) Millosheviçit. Domethënë, unë nuk e di çka duhet të ndodhë më shumë që të kuptojmë se me çfarë Serbie kemi të bëjmë”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, kemi të bëjmë me një Serbi e cila është më agresivja dhe më armiqësorja që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.
“Dhe në këtë situatë duhet të bëhemi bashkë kundër një Serbie të tillë që është më agresive dhe armiqësore se çdo herë më parë prej se kemi shpallë pavarësinë, në vend se të këqyrim të gjejmë papërsosuri brenda Kosovës së shumëvuajtur, që më në fund po ka zhvillim ekonomik dhe demokratik, pavarësisht mosnjohjes së Serbisë. Pra, ne duam njohje reciproke, por ndërkohë që nuk kemi njohje reciproke, ne duhet të zhvillohemi”, ka shtuar më tej kryeministri Kurti.