Kurti kërkon hetim për Exit Pollet për Mitrovicën: VV-ja forca kryesore

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë e sigurisë në Kosovë që të hetojnë Exit Pollet e raportimet e një dite më parë kur bëhet fjalë për Mitrovicën e Jugut. Sipas kreut të Vetëvendosjes ajo çfarë ka ndodhur nuk është thjesht një huqje, por ndërhyrje flagrante në procesin zgjedhor.

 

“Ajo çka ndodhi me 12 tetor rreth raportimeve për Mitrovicës duhet hetuar e hulumtuar, nuk bëhet fjalë vetëm për një huqje, por për një inxhiniering të paramenduar për ndërhyrje flagrante në procesin zgjedhor. Exit Pollet e prezantuara gabimisht me 16 pikë të përqindjes dallim e më tepër se aq, nga më shumë se një organizatë dhe për të njëjtën komunë, dhe postimi i lajmeve të rreme se kush ishte fituesi, ende pa u mbyllur vendvotimet, nuk janë thjesht një huqje. Kjo është cenim i demokracisë, zgjedhjeve të lira dhe integritetit e i sigurisë së shtetit tonë. I ftoj organet e drejtësisë e sigurisë që të merren me këtë çështje”, tha Kurti.

Ndërkohë, Kurti ka thënë se rezultatet e procesit zgjedhor të një dite më parë, tregojnë se partia që ai drejton jo vetëm që e ka ruajtur rritjen nga cikli në ciklin tjetër zgjedhor, por, siç thotë, është ngritur si forca kryesore politike në vend edhe në nivelin lokal.

Kurti këtë e ka quajtur si dhuratën më të mirë që tha se mund t’i ketë bërë populli në 20 vjetorin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai ka folur për historikun e lëvizjes që drejton në garat komunale.

“LVV ka një histori vetëm 12 vjeçare pjesëmarrje në zgjedhjet lokale, por këto vite kanë dëshmuar rritje të pandalshme dhe të vazhdueshme. Në vitin 2013 për herë të parë garuam në zgjedhjet lokale dhe fituam kryeqytetin, Prishtinën. Në 2017 e rifituam Prishtinën dhe shtuam Prizrenin e Kamenicën. Në vitin 2021 shkuam në balotazh në 12 komuna dhe fituam Gjilanin Kamenicën Podujevën dhe Shtimen. Pas dorëheqjeve të kryetarëve në veri në nëntor të vitit 2022 në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri fituam gjithashtu edhe Mitrovicën e Veriut e Leposaviqin”, tha Kurti.

Kryetari i vetëvendosjes tutje në këtë konferencë për media, një ditë pas procesit zgjedhor, tha se përveç që LVV-ja ka fituar pa balotazh në Podujevë, Kamenicë dhe Shtime, nga votat e diasporës mund të dalë fituese edhe në Gjilan.

“Që i bie në katër komunat ku kemi qeverisur në katër vitet e fundit po vazhdojnë pa balotazh. Jemi në balotazh në 12 nga 17 komuna sa kanë shkuar gjithsej në balotazh nëse e përfshijmë edhe Gjilanin aty. Të vetmet komuna ku LVV-ja nuk është në balotazh është Kllokoti, Sharri, Juniku, Klina dhe Theranda. Këto janë rezultate preliminare dhe pritet ende numërimi i votave të diasporës dhe atyre me kusht”, tha Kurti.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje tha se nga sot i përvishen punës për përballjen e dytë, atë të balotazhit.

“Pjesa e parë  garës përfundoi mbrëmë, nga sot i përvishemi punës për balotazhin. Synimi ynë është i qartë që kandidatët tonë të fitojnë edhe në këto komuna dhe të kthehet ose të vazhdojë qeverisja e mirë të cilën qytetarët e meritojnë dhe që komunat tona të ecin përpara me zhvillim e mirëqenie, drejtësi dhe barazi, të jenë komuna që funksionojnë dhe ku qeveriset me transparencë”, deklaroi kryetari i Vetëvendosjes.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish