Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar figurën e komandantit Zahir Pajaziti dhe shokëve të tij, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha, duke theksuar sakrificën e tyre për lirinë e vendit.
“Zahir Pajaziti kishte veprimtari të dendur si pak kush tjetër. Ai ishte luftëtar i paepur gjatë gjithë jetës dhe njëkohësisht një guerilas me aksione fort të suksesshme. Bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, në janarin e vitit 1997, u vra nga pusia e forcave serbe, sepse nuk ishte e mundur ndryshe. Aq shumë ishin tmerruar forcat armike të Serbisë nga Pajaziti dhe shokët e tij, sa që vetëm kurthi dhe prita mund t’u jepte shanse që t’i eliminonin”, tha Kurti.
Sipas tij, rënia e tyre dha një hov të jashtëzakonshëm vetëbesimit popullor dhe shtimit të radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Siç nuk mund ta kuptojmë historinë tonë më të re pa UÇK-në, ngjashëm nuk mund ta kuptojmë UÇK-në pa figurën e jashtëzakonshme të komandantit Zahir Pajaziti”, shtoi ai.
Kurti theksoi se çdo janar përkujtohen këta dëshmorë për të kujtuar çmimin e lartë që është paguar për shtetin dhe lirinë që gëzojmë sot, si dhe për të shprehur zotimin për të vazhduar rrugën e dëshmorëve dhe martirëve të kombit.
“Lavdi Zahirit, Hakifit, Edmondit dhe gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar!”, përfundoi Kryeministri.


























