Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se thelbi moral dhe historik i luftës çlirimtare të Kosovës qëndron në mbijetesën dhe dinjitetin e popullit, duke theksuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte bartëse e një lufte të drejtë dhe mbrojtëse, përcjell Kosova Post.
Sipas Kurtit, UÇK-ja veproi në rrethana të okupimit të egër, kur dhuna sistematike dhe ajo që ai e cilëson si apart’heid po shndërrohej në gjenocid shtetëror. Ai paralajmëron se çdo përpjekje për t’i shkëputur veprimet individuale nga ky kontekst historik dhe politik rrezikon të deformojë të vërtetën dhe kuptimin e luftës çlirimtare.
Kryeministri thekson se Kosova dhe UÇK-ja nuk kanë pasur kurrë plan shfarosjeje ndaj ndonjë populli tjetër apo civilëve. Duke iu referuar kërkesës së fundit të Prokurorisë në Hagë për dënime prej nga 45 vjet burgim për secilin nga drejtuesit e akuzuar të UÇK-së, Kurti vlerëson se kjo kërkesë nuk mbështetet në standarde të pranuara ndërkombëtare të dënimit.
Sipas tij, kjo qasje injoron kontekstin e luftës në Kosovë dhe përpiqet ta trajtojë çështjen në një “vakum juridik”, duke shkëputur veprimet nga realiteti i një lufte çlirimtare.
Në përfundim, Kurti thekson se Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në bindjen se UÇK-ja zhvilloi një luftë të drejtë dhe kryengritje anti-kolonialiste, duke shtuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën faktike dhe historike, dinjitetin e luftës për liri dhe parimet themelore të drejtësisë, si dhe do të kundërshtojnë çdo përpjekje për shtrembërimin e tyre.


























