Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pritur sot në zyrën e tij drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor dhe Mediteran në Ministrinë për Punë të Jashtme, Komonuelth dhe Zhvillim të Mbretërisë së Bashkuar, Victoria Billing.
Me këtë rast, Kurti tha se “Mbretëria e Bashkuar mbetet një partner e aleat i fuqishëm i Republikës së Kosovës si dhe vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme e të palëkundur të saj ndaj shtetit tonë”.
“Ai trajtoi dhe përparimin që ka njohur vendi ynë gjatë qeverisjes sonë, rritjen dhe zhvillimin ekonomik si dhe progresin shoqëror e demokratik të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit transmeton KosovaPost.
Ai para britanikes përmendi punët e mira të ekzekutivit të realizuara gjatë këtij mandati si: shtesat për fëmijë dhe nënat e reja, arsimin publik falas, rindërtimin e shtëpive për komunitetet joshumicë, rritjen e pensioneve, rritjen e incentivave për punësim e atë veçanërisht për të rinjtë dhe gratë, investimet në energjinë e gjelbër përmes edhe ankandit solar prej 100 MWh, mbështetja e prodhuesve vendorë dhe bursat për vajzat dhe gratë në fushat STEM, shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë.
“Në takim u bisedua dhe rreth intensifikimit të bashkëpunimit tregtar dhe rëndësisë së zgjerimit të mundësive dhe terheqjes së investitorëve britanikë në Kosovë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Kryeministri Kurti e falënderoi znj. Billing për takimin dhe bisedën e zhvilluar duke shprehur mirënjohjen për bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e ngushta mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Prezent në takim ishte edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.