Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë foli rreth vendimeve të vështira që ka marrë Kosova për anëtarësim në Këshill të Evropës. Ndërkaq, kryeministri ka kritikuar prokurorinë e shtetit. Ai tha se edhe pas sa muajsh të sulmit terrorist në Banjskë nuk ka aktakuzë ndaj Milan Radoiçiq.
Duke i përmendur të arriturat përgjatë mandatit të tij qeverisës, kryeministri Kurti, njëherësh edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se vendimet që i ka marrë Kosova për t’u anëtarësuar në Këshill të Evropës kanë qenë shumë të vështira.
“Më 16 prill do ta kemi votimin më të rëndësishëm deri më sot për këtë proces, me crast Asambleja Parlamentare pritet ta miratojë opinionin e znj. Bakojanis, i cili rekomandon anëtarësimin e plotë të Kosovës pa asnjë parakusht shtesë dhe pa fusnotë. Betejën e radhës dhe të fundit për këtë proces do ta kemi deri në mesin e muajit maj kur mbahet ministriali i Këshillit të Evropës i cili duhet ta ftoj Kosovën që të bëhet anëtarja e 47 e Organizatës më të madhe dhe më të vjetër të kontinetit tonë”, tha ai.
Kurti kritikoi prokurorinë, i cili edhe pas 30 javësh prej kur Milan Radoiçiq mori pjesë në sulmin terrorist në Banjskë ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, nuk ka ngritur aktakuzë për të.
“Edhe java e tretë po të ishte pa aktakuzë do të duhej të problematizohej, lëre më java e 30 në të cilën hyjmë sot”, tha ai.
Kurti bëri këto komente në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, nga ku ftoi bashkatdhetarët në diasporë që t’u përgjigjen pozitivisht zgjedhjeve të 9 qershorit të Bashkimit Evropian.
Mbledhja e këshillit të përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje është zhvilluar pa praninë e mediave.