Kryeministri thotë se situata në veri po normalizohet dhe se institucionet po u shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një qëndrimi në veri të Mitrovicës për përurimin e një objekti të Administratës Tatimore të Kosovës, ka deklaruar se situata në atë pjesë të vendit nuk ka qenë normale para ardhjes së qeverisë së tij.
Kurti theksoi se institucionet e Kosovës po punojnë për të gjithë qytetarët pa dallim dhe se askush, përfshirë edhe vetë atë, nuk është mbi ligjin.
“Ne punojmë për të gjithë qytetarët. Unë nuk jam mbi ligjin. Koha para qeverisë sonë nuk ka qenë normale. Nuk them se tani është gjithçka normale, por them se gjithçka po normalizohet”, deklaroi Kurti.
Sipas tij, ligji duhet të jetë faktor që bashkon shoqërinë dhe siguron barazi për të gjithë qytetarët.
“Ligji nuk është ai që e ndan shoqërinë në ata që nuk janë të mbrojtur dhe në ata që askush nuk guxon t’i prek. Ai e bashkon shoqërinë me bashkim dhe barazi”, tha kryeministri.
Kurti shtoi se nuk mund të jepet asnjë shembull ku organet e pushtetit, si Policia e Kosovës apo Administrata Tatimore, nuk u shërbejnë qytetarëve në mënyrë të barabartë dhe profesionale.


























