“Dëshira e tij për t’i ndjekur hapat e babait, na jep shpresë se rinia jonë do t’i shërbejë vendit”.
Kështu ka deklaruar Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti për djalin e të ndjerit, ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi.
Me anë të një postimi në Facebook, Kurti ka ndarë disa foto nga vendosja e luleve tek vendit të rënies së Zymberit. Krahas tij, ishte edhe djali i këtij të fundit, Sokoli.
Gjersa thekson se kujtimi për Zymberin do mbetet gjithmonë evident, Kurti deklaroi se dëshira e birit të të ndjerit mbesin ndjekja e hapave të të atit.
“Bashkë me Sokolin, djalin e heroit Enver Zymeri, vendosëm dje lule të freskëta në vendin ku ka rënë ai, këtu e 12 vite më parë. Enverin do ta kujtojmë gjithmonë sepse përpjekja e tij vetmohuese është edhe e jona: Kosovën e lirë ta bëjmë me sovranitet të plotë, pa krim e korrupsion, me jetë cilësore për të gjithë, pa dallim. Sytë e Sokolit janë veç dritë. Dëshira e tij për t’i ndjekur hapat e babait, na jep shpresë se rinia jonë do t’i shërbejë vendit”, ka shkruar Kurti.
Gjatë ditës së djeshme, Kampi “Belvedere” ka marrë një emër tjetër. Zyrtarisht, ai do njihet si kampi “Enver Zymberi”.
Pasditen e së mërkurës, në ceremoninë e policëve të rënë është zbuluar memoriali i Enver Zymberajt me ç’rast edhe kampi ka marrur emrin e tij.
I pranishëm ishte edhe kreu i ekzekutivit, Kryeministri Albin Kurti.


























