Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë një intervistë për FRANCE 24 gjatë pjesëmarrjes së tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
Kurti do të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel më 27 shkurt duke thënë se është “shumë optimist” se një marrëveshje që çon në normalizimin e plotë midis dy vendeve mund të ndodhë “këtë vit”, raporton Gazeta 10.
Ai shprehu keqardhjen që marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “nuk janë normale” teksa shtoi se Beogradi është izoluar duke “mos u shkëputur (…) nga Kremlini”.
Kryeministri i Kosovës tha se Vuçiqi i Serbisë “në një masë të madhe po luan në duart e Putinit”. Kurti beson se lideri serb “ndonjëherë bën një gjest që tregon se ndoshta ai nuk është plotësisht në linjë me Putinin sepse dëshiron të marrë fondet e BE-së dhe tolerancën e SHBA”, pasi ekonomia serbe, edhe pse kryesisht e varur nga nafta dhe gazi rus, është gjithashtu ” e lidhur me Perëndimin”.
I pyetur për Asociacionin, ai ka thënë se “ajo marrëveshje është vetëm njëra nga shumë që janë arritur në Bruksel dhe planin franko-gjerman nuk mund ta kthej në tavolinë suedeze ku pala serbe merr çfarë i intereson”
Duke iu kthyer luftës në Ukrainë, Kurti tha se Perëndimi duhet të sigurojë ndihmë shtesë për forcat ukrainase. Ai shtoi se kishte frikë se sulmet e mercenarëve të Grupit Wagner kundër Kosovës ishin “të mundshme”. Vendi i tij mbetet “vigjilent”, por “nuk ka frikë”, përfundoi ai.


























