Kryeministri Albin Kurti ka publikuar edhe një herë tarifat e reja që ka aplikuar Ministra e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës për bashkatdhetarët që duan të pajisen me dokumente personale nëpër konsullata në shtetet ku punojnë. Ai thotë bashkatdhetarëve ua sjellim me afër shtetin e Kosovës, përcjell KosovaPost.
“Tarifat e reja për pasaporta, letërnjoftime, certifikata dhe shërbime tjera në konsullatat dhe ambasadat tona për mërgatën tonë, ua sjellin atyre më afër shtetin e Kosovës që u ofron më shumë e u kushton më pak”, ka shkruar Kurti në Facebook .
Kurti në rrjetin social ka shpërndarë edhe një qëndrim të zëvendëskryeministres dhe njëherësh ministres së Jashtme, Donika Gërvalla e cila gjithashtu fton bashkatdhetarët që të regjistrohen.
“Krahas fuqizimit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, së bashku me ambasadat dhe konsullatat tona, po punojmë për të ofruar një shërbim sa më cilësor, me tarifa të arsyeshme dhe pa barriera burokratike në të gjitha misionet e Republikës së Kosovës jashtë vendit. Krahas heqjes së tarifës për rikthimin e shtetësisë, kemi ulur edhe tarifat e shërbimeve të tjera, që nga certifikatat e lindjes e deri te vërtetimet për pensionistët, të cilët i kemi bërë pa pagesë”, shkruan Gërvalla.
Ajo kërkon nga diaspora që të regjistrohet sa më parë në platformën https://ediaspora.rks-gov.net/. “Shifrat e sakta, të dala nga ky regjistrim, do të jenë një bazë e fortë për një planifikim më të mirë dhe përmirësim edhe më të ndjeshëm të cilësisë së shërbime konsullore”. Ka shkruar Gërvalla.