Kurti: Po punojmë që t’i afrojmë shtetet mosnjohëse

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka njoftuar kabinetin për udhëtimet që kishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e në Poloni ku ishte pjesë në javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme në New York e pastaj edhe në Samitin e Sigurisë në Varshavë.

Kurti tha se në të dyja këto vende pati takime të shumta me përfaqësues të shteteve mike e partnere me të cilët synohet përforcimi i marrëdhënieve dhe bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, inovacionit, sigurisë e mbrojtjes.

“Takuam edhe udhëheqës të shteteve mosnjohëse për t’i njohur ata sa më shumë, me vendin tonë, me historinë tonë, me synimet tona demokratike e veriatlantike për të afruar sa më shumë ato vende drejt njohjes së vendit tonë dhe vendosjes së bashkëpunimit e të marrëdhënieve bilaterale sa më parë aq më mirë. Këto vende mosnjohëse synojmë t’i afrojmë,  e me vendet që na kanë njohur t’i thellojmë marrëdhëniet bilaterale edhe sa i përket investimeve ekonomike e rritjes së volumit tregtar”, tha kryeministri.

Kur foli për takimet me mërgatën, në të dyja këto vende theksoi se ata vazhdojnë të ketë një rol kyç në zhvillimin e vendit.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka miratuar agjendën e reformave 2024 -2027 në kuadër të planit të rritjes së BE-së e cila Kosovës do t’i sjellë rreth 882 milion euro.

“Negocimi i agjendës së reformave dhe planit të rritjes në tërësi ka filluar qysh nga nëntori i vitit të kaluar. Ekipi ynë negociator i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka bërë një punë të shkëlqyeshme që plani të ketë pronësi, të jetë relevant për nevojat e Kosovës, të jetë në harmoni me dokumentet tjera strategjike, planifikimet dhe mbi të gjitha të jetë i zbatueshëm. Kosova ka zbatuar të gjitha afatet dhe ka dorëzuar në kohë agjendën e reformave, koston financiare dhe listën indikative të projekteve investive”, tha Kurti

Derisa Kosova nga kjo do të përfitojë 882 milion euro, shefi i qeverisë tregoi se afër 30 për qind e kësaj shume janë grante derisa rreth 70 për qind hua afatgjate.

Agjenda e reformave të Kosovës përbëhet nga 5 fusha kryesore: Qeverisja e mirë dhe reforma e administratës publike, tranzicioni i gjelbër dhe digjital, zhvillimi i sektorit privat dhe mjedisi i biznesit, zhvillimi dhe ruajtja e kapitalit njerëzor dhe vlerat themelore dhe sundimi i ligjit.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish

Tjera nga rubrika