Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se para dy vitesh, në kuadër të Policisë së Kosovës, është themeluar Drejtoria e Mbrojtjes Ajrore, e cila përfshin njësitë dron dhe antidron si komponentë kyç të sigurisë.
Në një postim të tij, Kurti ka njoftuar se në Kampin e Njësive Speciale në Vrellë është realizuar testimi i mundësive të mbrojtjes ajrore, duke u mbështetur në kapacitetet e brendshme të Policisë së Kosovës.
Ai ka falënderuar zyrtarët policorë për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë këtij procesi, duke theksuar se mbështetja institucionale për ngritjen dhe fuqizimin e këtyre kapaciteteve do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Sipas Kurtit, zhvillimi i këtyre njësive paraqet një hap të rëndësishëm në forcimin e sigurisë dhe rritjen e gatishmërisë së Policisë së Kosovës për përballje me sfidat moderne të sigurisë.


























