Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot deputetët laburistë, Emma Lewell Buck, Paul Foster, Fabian Hamilton, David Taylor, të cilët janë anëtarë të grupit Miqtë Laburistë të Kosovës dhe Reg Pula, Drejtor Ekzekutiv i grupit Miqtë Laburistë të Kosovës, transmeton KosovaPost.
Zyra e Kryeministrit njoftoi se Kurtika shprehur mirënjohjen e thellë ndaj mbështetjes së palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar, siç thuhet, jo vetëm për pavarësinë tonë, por edhe për zhvillimin e vazhdueshëm të vendit dhe fuqizimin e pozitës ndërkombëtare.
“Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar ndajnë vlera themelore të përbashkëta: përkushtim ndaj demokracisë, të drejtave të njeriut, paqes edhe sigurisë në rajon, tha kryeministri Kurti gjatë takimit. Duke folur për qeverisjen, kryeministri theksoi se Kosova dhe qeveria e saj janë një shembull i mirë se si socialdemokratët rrisin ekonominë dhe avancojnë demokracinë”, thuhet në komunikatë.
Kë komunikatë thuhet se Kurti ka theksuar edhe rolin e rëndësishëm që Partia Laburiste, siç thuhet aty, ka luajtur në momente kritike për popullin dhe shtetin e Kosovës, në çlirimin e vendit në 1999 ashtu edhe në shpalljen e pavarësisë në vitin 2008.
Ndërkaq, deputetët laburistë theksuan se Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova janë të lidhura bashkë përmes miqësisë e partneritetit por edhe diasporës tonë atje.
“Në takim u diskutua edhe për raportet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit me qeverinë e re laburiste. Bashkë me kryeministrin, në këtë takim ishin ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti dhe nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci”.
“Labour Friends of Kosova” është një grup i Parlamentarëve Laburistë në Mbretërinë e Bashkuar, me qëllim promovimin e marrëdhënieve të forta dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Në shkurt të këtij viti, kryeministri Kurti kishte marrë pjesë në përurimin e nismës “Labour Friends of Kosova” (Miqtë Laburistë të Kosovës) në Londër”, thuhet tutje në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.