Kryeministri i vendit, Albin Kurti në fjalën e tij në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë ka thënë se Qeveria po zbaton ligje që garantojnë barazi e të drejta për gratë.
Kurti ka potencuar po ashtu, se kjo qeveri po zbaton politika që përmes fondeve të ndara të garantojë barazi e mundësi për gratë.
Ai është shprehur mirënjohës për kontributin vetëmohues të grave ndër breza.
“Ne po zbatojmë ligje që garantojnë barazi dhe të drejta, po zbatojmë politika e po ndajmë fonde që garantojnë barazi, mundësi. Jemi mirënjohës për kontributin e grave ndër breza, vigjilencën e tyre ndaj barazisë e solidaritetin ndaj njëra tjetrës. U jemi falënderues për punën vetëmohuese që e bëni”, është shprehur ai.
Më tej, kryeministri ka vlerësuar se çdo ditë e më shumë bota është në një gjendje të krizës së sigurisë si rezultat i burrave me ego të brishta.
Tek gratë, Kurti thotë se buron humanizmi bashkë më maturinë, dijen e guximin.
“Jemi bashkë do ditë në kauzën për drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, çdokund. Nuk mund të ecim drejt paqes globale pa reflektuar thellë në atë që çfarë do të thotë të jesh njeri, të reflektojmë mbi humanitetin tonë dhe t’i tejkalojmë rendet shoqërore arkaike që nuk i shërbejnë të mirës së përgjithshme e as të ardhmes së njerëzimit. Po e shohim çdo ditë e më shumë se në çfarë gjendje të krizës së sigurisë globale është sot bota si rezultat i burrave me ego të brishta që duan të tregojnë kush i ka muskujt altilerik më të fortë. Besoj që njerëzimi është shumë më i mirë se kaq. Dhe për paqen nevojitet një humanizëm, këtë burim njerëzor bashkë më maturinë, dijen e guximin e kanë ofruar vajzat e gratë edhe në historinë tonë” ka shtuar ai. /