Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shprehur mirënjohje të thellë ndaj qytetarëve për mbështetjen e dhënë gjatë fushatës zgjedhore dhe për pjesëmarrjen masive në zgjedhjet e djeshme të parakohshme parlamentare.
Në një postim në Facebook, Kurti ka falënderuar qytetarët përzemërsisht për pritjen e ngrohtë, për kontributin e tyre në dhjetëra takime e tubime në të gjithë Kosovën, si dhe për pjesëmarrjen e diasporës nga Evropa, Amerika dhe vende të tjera të botës.
“Në dhjetë ditë fushatë, dhjetëra mijëra duar të shtrënguara e mijëra dyer të hapura nga ju në qindra takime e tubime anembanë. Na pritët me ngrohtësi e besim, e për këtë ju falënderoj përzemërsisht. Jeni shumë, madje aq shumë sa shumicës nuk ua njohim e dimë emrin. Dhe, u angazhuat pa kursim për fitoren e VETËVENDOSJE!-s me partnerë, për fitoren tuaj. Të dashur bashkatdhetarë që erdhët nga Evropa, Amerika e nga çdo cep i botës, ose që votuat me postë apo fizikisht pardje në ambasadat e konsullatat tona, u jemi mirënjohës përjetë për kontributin tuaj të pamatshëm për liri e shtet dhe komb, si dhe për përkrahjen vendimtare që e bëri fitoren në këto zgjedhje aq madhështore saqë historike”, ka shkruar Kurti, teksa ka shtuar se puna vazhdon, e siguria e begatia do të shtohen.


























