Kryeministri Albin Kurti, së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe deputeten e Kuvendit të Kosovës, Shqipe Mehmeti Selimi, ka pritur në takim kryesuesin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit gjerman, Michael Roth, transmeton KosovaPost.
“Gjatë bisedës u diskutua rreth reformave të Qeverisë, situatën aktuale në vend, dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe takimin e radhës të nivelit të lartë politik, që do të mbahet të enjten e kësaj jave, si dhe për rrugëtimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian, si dhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë”, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë.
Sipas komunikatës, nga viti 2021 në vitin 2022, eksportet e Kosovës për në Gjermani janë rritur për 42%, ndërkaq investimet e Gjermanisë në Kosovë për 60%.
“Kryeministri Kurti e njoftoi deputetin Roth me progresin e përgjithshëm, me theks te indikatorët e fundit makroekonomikë dhe me arritjet kryesore të qeverisjes. Ai falënderoi z. Roth për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës, por edhe për mbështetjen e tij. Michael Roth ishte njëri nga nënshkruesit e parë të letrës së përbashkët të 10 kryetarëve të komisioneve parlamentare për politikë të jashtme të 16 shteteve, në të cilën ishte shprehur mbështetja për Kosovën dhe ishte bërë thirrje për qasje më të ashpër ndaj Serbisë”, vazhdon komunikata.


























