Kryeministri Albin Kurti, ka mirëpritur eurodeputetin nga Estonia, Riho Terras, i cili po zhvillon vizitën e parë në Kosovë pas marrjes së detyrës si raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian.
Sipas njoftimit për media, Kur e ka falënderuar Parlamentin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit evropian dhe reformave të rëndësishme institucionale. Ai u shpreh se Republika e Kosovës është shembull shumë i mirë që zhvillimi ekonomik dhe progresi demokratik mund të ecin krah për krah. Theksoi përkushtimin e Qeverisë për zbatimin e Planit të Rritjes, i cili është instrumenti kryesor për rritjen ekonomike dhe përshpejtimin e procesit të integrimit në BE.
“Në kuadër të Planit të Rritjes, Kosova dëshmoi përgatitjen e saj institucionale, gjersa në zbatimin e agjendës së reformave ERA II u arrit një shkallë zbatimi prej 72% nga 45% sa ka qenë në qeverisjet e kaluara, ndërsa në Programin Kombëtar për Integrim Evropian (PKIE) niveli i zbatimit në vitin 2023 arriti në 66.12%”, thuhet më tutje në komunikatë, raporton KosovaPost.
Temë e këtij takimi ishte edhe sulmi i fundit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, që ndodhi më 29 nëntor. Ai ishte sulmi i tretë në tri ditë që për cak kishin institucionet e vendit. Paraprakisht target ishin Stacioni i Policisë në Zveçan dhe ndërtesa e Kuvendit të Komunës së Zveçanit. Gjithashtu, ai përbën sulmin e dytë në shkallë të madhe ndaj sigurisë kombëtare, pas sulmit paramilitar më 24 shtator 2023 në Banjskë, që për qëllim kishte aneksimin e veriut të vendit dhe ku mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës dhe sulmin më të madh dhe më serioz ndaj infrastrukturës kritike, që për qëllim kishte ndërprerjen apo vështirësimin e shërbimeve esenciale, si rryma, uji dhe telekomunikimi, dhe çrregullimin e jetës shoqërore, qytetare, ekonomike dhe të institucioneve. Metoda, caku, ekzekutimi i sulmit, së bashku me konfiskimin e armatimit, uniformave dhe emblemave të ushtrisë, shumica dërmuese prej të cilave të Serbisë dhe 20 tjera të Rusisë, janë indikacion i përfshirjes së aktorëve të jashtëm, teksa hetimet po vazhdojnë.
Ndër të tjera, kryeministri bëri thirrje për largim të masave të BE-së ndaj Kosovës dhe theksoi rëndësinë e pranimit sa më parë të pyetësorit dhe statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kryeministri e falënderoi raportuesin Terras për vizitën dhe diskutimin konstruktiv. Ndërkaq, ai e falënderoi kryeministrin për mikpritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim me Parlamentin Evropian.