Kryeminstri Albin Kurti ka vizituar fillimin e punimeve të zgjerimit të rrugës nacionale N-9, segmenti Kijevë-Dollc.
“Derisa lloti i parë i këtij segmenti rrugor është në ri-tenderim, kryeministri Kurti gjatë njoftimit me punëkryesin e mbikëqyrësin e punëve të kryera, u shpreh i lumtur për inaugurimin e lloteve 2, 3 dhe 4, me gjatësi afër 11 kilometra, në vlerë të përgjithshme prej më pak se 21 milionë euro”, njofton Kryeministria.
Sipas këtij njoftimi, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se po iu kushtohet rëndësi cilësisë së projektimeve që në fazën e dizajnimit, në fazën e realizimit të punimeve, si dhe çështjeve që i përkasin shpronësimeve në kohë.
Ndërkaq, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, u shpreh i bindur për realizimin efikas të tre lloteve të këtij segmenti rrugor.
“Janë pra tri llote, që afatet e kryerjes, afati më i gjatë është 460 ditë për llotin më të madh, por duke e parë angazhimin edhe të kompanive, por edhe të mbikëqyrjes së jashtme, të cilën e kemi kontraktuar, unë jam i bindur se do ta realizojmë para këtij afati që të tri llotet”, tha ai.
Pas segmentit Kijevë-Dollc, vjen ai Dollc-Ramun, për të cilin do të bëhet hapja e procesit për tenderim në muajin maj.