Kryeministrit Albin Kurtit, i është dorëzuar një çmim mirënjohje nga gazetarët ukrainas që janë strehuar dhe veprojnë në Kosovë, përcjell KosovaPost.
Mirënjohja iu dorëzua nga presidenti i Unionit të Gazetarëve të Ukrainës, Sergiy Tomilenko, për “Kontributin e rëndësishëm në mbrojtjen e gazetarëve ukrainas gjatë luftës, mbështetjen për programin ndërkombëtar JiR në Kosovë dhe forcimin e bashkëpunimit mes mediave në Ukrainë dhe Kosovë”.
“Kurti i falënderoi për këtë vlerësim, duke shtuar se për ne ka qenë obligim përkrahja e luftës së drejtë çlirimtare e për liri dhe demokraci e Ukrainës”, shkruan në kumtesë.
“Më tej ai shtoi se në mbledhjen e 216-të të Qeverisë, dy javë më parë, në përputhje me kërkesën e Qendrës Evropiane për Lirinë e Mediave (ECPMF), kemi aprovuar kërkesën që edhe tre gazetarë të tjerë të vijnë në vendin tonë përmes programit JiR, e të cilët mezi presim të mbërrijnë në Kosovë”.
49-vjeçari, shprehu mirënjohjen për përpjekjet, punën dhe kontributin e tyre të vazhdueshëm.
Pjesëmarrëse në këtë takim ishte edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.