Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur masë të përkohshme deri në fund të këtij muaji ndaj dekretit të Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës. Sipas Gjykatës, vendimi është ex officio dhe ndalon çdo veprim të Presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe çdo veprim të Kuvendit të Kosovës derisa masa e përkohshme është në fuqi, transmeton KosovaPost.
Gjykata ka bërë të ditur se masa ka për qëllim “parandalimin e shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyçe në Kosovë”.
Ky vendim nënkupton se Presidentja Osmani nuk mund të shpallë datë për zgjedhje të reja derisa masa të jetë në fuqi. Dekreti i saj për shpërndarjen e Kuvendit është kundërshtuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e kryesuar nga Kryeministri Albin Kurti.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, njoftoi se ka regjistruar kërkesën e Qeverisë së Kosovës për të vlerësuar kushtetutshmërinë e Dekretit nr. 24/2026, të 6 marsit 2026, të presidentes Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Legjislaturës së Dhjetë të Kuvendit të Kosovës.
Kërkesa u dorëzua nga kryeministri Albin Kurti në emër të Qeverisë dhe kërkon që Gjykata të vendosë edhe masë të përkohshme, duke pezulluar menjëherë efektin e dekretit për të parandaluar pasoja që mund të jenë të pariparueshme për funksionimin e institucioneve dhe rendin kushtetues.
Sipas kërkesës, dekreti i presidentes Osmani mund të jetë në kundërshtim me disa nene të Kushtetutës, përfshirë:
• Nenin 4 (Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit)
• Nenin 7 (Vlerat)
• Nenin 16 (Epërsia e Kushtetutës)
• Nenin 82.3 (Shpërndarja e Kuvendit)
• Nenin 84.2 (Kompetencat e Presidentit)
• Nenin 86.2 (Zgjedhja e Presidentit)
Gjykata Kushtetuese, e përbërë nga kryetari Nexhmi Rexhepi dhe gjyqtarët Safet Hoxha, Bajram Ljatifi, Radomir Laban, Remzije Istrefi-Peci, Enver Peci dhe Jeton Bytyqi, caktoi gjyqtaren Remzije Istrefi-Peci si raportuese dhe formoi kolegjin shqyrtues për këtë çështje.
Gjykata ka njoftuar për regjistrimin e kërkesës Kryeministrin, Presidenten Osmani dhe Kryetaren e Kuvendit, duke kërkuar nga ta dorëzimin e komenteve dhe plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm brenda datës 11 mars 2026.
































