Shaban Murat Jashari lindi më 2 prill të vitit 1924, në Prekaz, fshat i njohur për rezistencë kundër shkelësve të trojeve të atdheut.
Ishte djali i vetëm i Murat Jasharit të cilit më vonë i lindin edhe dy bija.
Edhe babai i tij kishte qenë burri i vetëm në familje, ashtu sikurse dhe gjyshi, Fazli Jashari.
Në kohën e pushtimit të Kosovës nga Mbretëria Jugosllave, prej vitit 1918 e deri më 11 prill të vitit 1941, burrat e Prekazit ashtu sikurse edhe të shumë fshatrave të tjera të Drenicës, në vazhdimësi ndodheshin në shënjestër të Xhandarmërisë Serbe, meqë ata kurrë nuk e pranuan robërinë, as jetën e përbashkët me serbët.
Më 11 prill të vitit 1941, Gjermania sulmoi ushtarakisht Jugosllavinë, e cila pas dhjetë ditësh, nënshkroi kapitullimin.
Në atë kohë, shqiptarët kudo në Kosovë, ndiheshin më të lirë. Administrata e huaj italo-gjermane hapi shkolla në gjuhën shqipe dhe i pranoi shqiptarët në të gjitha instancat e jetës organizative civile e ushtarake.
Qeveria italo-shqiptare solli mbi 200 mësues nga Shqipëria, të cilët do të përhapnin arsimin shqip në Kosovë. Një numër i caktuar i këtyre mësuesve ishte vendosur edhe në trevën e Drenicës. Në fshatin Vitak të Skënderajt ishte emëruar mësues Vasil Vasili nga Gjirokastra, i cili u angazhua me përkushtim për t’i arsimuar jo vetëm të rinjtë, por edhe më të moshuarit të këtij fshati e të rrethinës së tij. Edhe Shaban Jashari kishte ndjekur mësimet në gjuhën amtare. Ai kishte treguar interesim të veçantë për dije.
Në moshën 20 vjeçare Shabani martohet me Zahide Gecin nga Llausha. Atyre u lindën 14 fëmijë. Nga ata u rritën dhe u trashëguan: Hava, Rifati, Hamza, Zyla, Zoja, Ademi, Qamilja dhe Halimja.
Në vjeshtë të vitit 1949, Shaban Jashari emërohet mësues në Prekaz.
Duke qenë se qeveria jugosllave në vitin 1948, pas prishjes së marrëdhënieve me Shqipërinë, i kishte përzënë nga Kosova edhe shumë mësues shqiptarë, drejtuesit e arsimit në atë kohë emëruan mësues edhe disa shkollarë që nuk e kishin kualifikimin e duhur shkollor. I tillë ishte edhe Shaban Jashari. Ai nuk e kishte kryer shkollimin e plotë, por kishte treguar përkushtim dhe vullnet të veçantë për të arsimuar brezat e rinisë shqiptare në Drenicë.
Duke vërejtur përkushtimin e tij në edukimin patriotik të nxënësve, drejtuesit e organeve arsimore, që kontrolloheshin nga komisarët e partisë, në vitin 1952, Shaban Jasharin e përjashtojnë nga procesi edukativo-arsimor.
Largimi nga puna të cilën e donte me shpirt, Shabanit i dha një goditje të rëndë, por megjithatë nuk u gjunëzua.
Nga gjyshi dhe nga kuvendarët e urtë kishte mësuar se armikut mund t’i rrihej karshi vetëm me armë, me dije dhe me pasuri. Shaban Jashari iu dha po aq me përkushtim edhe punës në ngritjen dhe forcimin ekonomik të familjes. Ai e dinte po ashtu se varfëria të detyron të bëhesh rob, andaj, me bijtë dhe bijat dhe me bashkëshorten Zahide, iu rrek punëve të bujqësisë dhe për një kohë të shkurtër arriti të përmirësojë gjendjen ekonomike.
Shaban Jashari i përket brezit të shqiptarëve liridashës, brezit që mbi supe barti peshën e rëndë të robërisë dhe të represionit shtetëror serb.
Fëmijët i kishte edukuar në frymë atdhedashurie, i kishte kalitur në punë fizike e i kishte mësuar të jenë këmbëngulës në arritjen e qëllimeve të tyre fisnike në jetë.
Më 13 maj të vitit 1981, me rastin e rënies heroike të Tahir e të Nebih Mehës, Shaban Jashari me bijtë, Hamzën dhe Ademin, shkoi në varrimin e bashkëfshatarëve të tyre, edhe pse partia dhe policia kishin dhënë urdhër që varrimi të kryhej heshtas dhe në prani të një numri tejet të kufizuar të pjesëmarrësve. Ndërkohë, ai ishte në dijeni të aktivitetit ilegal të bijve të tij dhe të bashkëmendimtarëve të tyre. Ai jo vetëm që nuk do i’u bëhej pengesë në synimet e tyre patriotike, por do t’i ndihmonte, do t’i ruante dhe do t’i këshillonte, kurdo që e konsideronte të nevojshme.
Në vjeshtë të vitit 1991, Shabani ishte njoftuar edhe për faktin se djali i tij, Ademi, kishte shkuar në Shqipëri për t’u stërvitur ushtarakisht. Ai asnjëherë nuk kishte shfaqur dyshim lidhur me rrugën që kishin filluar ta trasonin bijtë, miqtë dhe bashkëmendimtarët e tyre. Ishte i ndërgjegjshëm se rruga historike e rezistencës nuk ndalej, ashtu sikurse ishte i vetëdijshëm se rruga e lirisë çahej me shpatë në dorë, me mund dhe me sakrifica të mëdha.
30 dhjetor 1991
Forca të mëdha të policisë serbe kishin vënë në rrethim Kullën e jasharëve në Prekaz, pasi paraprakisht kishin saktësuar se në Kullë ndodhej Adem Jashari me të dy vëllezërit dhe me shumë bashkëluftëtarë. Përderisa komandanti i policisë kishte kërkuar nga Shaban Jashari dhe nga bijtë e tij që të dorëzoheshin, luftëtarët e lirisë iu kishin përgjigjur me zjarr kundërsulmit duke e çarë rrethimin.
Policia serbe me forca të mëdha mbante në rrethim Kullën e Shaban Jasharit, ndërsa në shënjestër ndodhej edhe tërë lagja Jasharaj. Për t’iu shkuar në ndihmë trimave të Prekazit, drejt Kullës ishin nisur mijëra drenicarë nga fshatrat përreth.