Zemërimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me ndërmjetësuesit evropianë të bisedimeve me Serbinë është “plotësisht i arsyeshëm”, thotë për Radion Evropa e Lirë Leon Hartwell, bashkëpunëtor i lartë në Shkollën e Londrës për Ekonomi dhe Shkenca Politike.
Nga këndvështrimi i Kurtit, thotë ai, “duket sikur Kosovës i kërkohet t’i respektojë me ngulm marrëveshjet e ndërmjetësuara nga BE-ja”, ndërsa Serbia, e cila “nuk është zotuar për nënshkrimin dhe ratifikimin e ndonjë marrëveshjeje të tillë, mund të zgjedhë çfarë të zbatojë”.
Duke folur të hënën në një konferencë me gazetarët në Prishtinë, Kurti tha se i dërguari i BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, u pozicionua kundër Kosovës në takimin mes palëve, që u zhvillua javën e kaluar.
Çka pas bisedimeve të pafrytshme në Bruksel?
Hartwell, nga Shkolla e Londrës për Ekonomi dhe Shkenca Politike, thotë se BE-ja dhe SHBA-ja duhet të vendosin një objektiv të mirëpërcaktuar për zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë, pasi termit “normalizim”, thotë ai, i mungon qartësia.
“Për më tepër, është thelbësore të pranohet realiteti se ‘marrëveshjet’ e famshme nuk janë vërtet ligjërisht të detyrueshme, duke e lejuar Vuçiqin që në mënyrë selektive t’u japë përparësi preferencave të tij. Ekziston, gjithashtu, një nevojë urgjente për t’i pranuar mangësitë në procesin aktual të dialogut. Pasi të jetë vendosur njohja [Kosovë-Serbi], hapi tjetër do të duhej të ishte hartimi i strategjive për t’i dhënë fund konfliktit përfundimisht”, përfundon Hartwell.
Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë se është i zhgënjyer me mungesën e përparimit në dialogun Kosovë-Serbi dhe ka paralajmëruar se do të konsultohet me partnerët për hapat e ardhshëm.



























