Ministria e Bujqësisë këtë vit do të ndajë 24 milionë euro për grante në bujqësi. Fermerë e ekspertë të bujqësisë mirëpresin shumën e dedikuar dhe fillimin e procedurave për ndarjen e granteve. Ata thonë se nga buxheti i shtetit duhet të përkrahen fermerët meritorë.
Me qëllim të zhvillimit të bujqësisë dhe rritjes së prodhimtarisë vendore, Ministria e Bujqësisë do të ndajë 24 milionë euro grante për bujqit këtë vit. Këtë javë do të aprovohet Programi për grante për vitin 2023, e deri në fund të javës do të ekzekutohen rreth 30 milionë euro pagesa për subvencione dhe grante, tha ministri i Bujqësisë, Faton Peci, në konferencën për media pas mbledhjes së fundit të qeverisë.
“Është e mirëseardhur ndarja e një shume të tillë dhe shpresojmë se në të ardhmen Qeveria do ta rrisë edhe më shumë fondin për grande. Në mesin e kërkesave të bujqve, është që këtë vit t’iu mundësohet që të marrin mekanizim të rëndë bujqësor nga shtetet e perëndimit si Zvicra apo Gjermania, sepse atje ka mundësi me ble pajisje bujqësore të përdorura, por të ruajtura dhe me çmime shumë më të favorshme se pajisjet e reja që fermerët detyrohen t’i blejnë këtu në Kosovë”, tha ai.
Tutje, Tahiri i tha Radio Kosovës se kërkesë e bujqve është përkrahja më e madhe për ndërtimin e pikave grumbulluese dhe përpunuese.
“Disi deri tani, masat stimulative për buqit nuk kanë dhënë ndonjë rezultat inkurajues për faktin se vazhdojmë të kemi import të madh. E dimë se ka pasur edhe disa keqpërdorime me grande e subvencione, të cilat duhet të eliminohen. Por, po ripërsëris, grandet dhe subvencionet duhet të dedikohen për fermerët meritorë. Kjo shumë sigurisht se nuk është e mjaftueshme për bujqësinë, por është mbresëlënës trendi i shtimit të buxhetit për përkrahjen e bujqve dhe zhvillimin e bujqësisë”, tha Rusinovci.
Gjatë vitit 2022 nga buxheti i shtetit Ministria e Bujqësisë ka ndarë mbi 70 milionë euro subvencione e grante për bujqit kosovarë. Megjithëkëtë dhe përkundër rritjes së financimit publik nga viti në vit, rritja e prodhimtarisë bujqësore po vlerësohet e pakënaqshme.


























