Fushatën elektorale Lidhja Demokratike e Kosovës e ka vazhduar sot me tubimin në Gjilan. Para përkrahësve të kësaj partie, kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, tha se beson shumë në rikthimin e LDK-së në Anamoravë.
“Jam këtu të shtroj dorën e ftesës për secilin patriot të Republikës që t’i bashkohet uraganit të madh të fitores që radhitet pas tri shkronjave të arta, LDK. Ju them me plot përgjegjësi se në këtë garë dhe në këtë listë që e lavdëron secili, këtë program që e lavdëron secili, Anamorava dhe në veçanti Gjilani kanë përparësinë e veçantë. Nuk ka program tjetër që ofron më shumë për Gjilanin se sa ne”, tha Abdixhiku.
Kandidati për deputet nga kjo parti, Lutfi Haziri, tha se projektet jetësore për banorët e Gjilanit do të fillojnë në ditët e para të qeverisjes së re.
“Kryetar, jemi dëshmitarë të rikthimit të kryengritjes, andaj kudo që shkoni ju e quani kryengritje të djathtë. Rugovizmi u ngrit në këmbë; ushtarët e Ibrahim Rugovës po ecin para dhe pas jush për t’ju ndihmuar në rikthimin e besimit. Po, ne në Gjilan po flasim se sa poshtë kemi rënë dhe sa lart presim të ngrihemi me ju”, theksoi Haziri.
Kandidatja tjetër për deputete nga kjo komunë, Valentina Bunjaku Rexhepi, tha se me LDK-në do të fillojë ndryshimi për Gjilanin dhe Kosovën.
“LDK ka nevojë më shumë se kurrë për ju, për ndryshimin e madh. Prandaj, ju jeni ndryshimi dhe ju na mundësoni që të bëhet ndryshimi i madh. E gjithë Kosova, LDK. E Gjilani, 100% LDK”, deklaroi Valentina Bunjaku Rexhepi.
Në këtë tubim u premtua se me qeverisjen e LDK-së, rruga për te Dheu i Bardhë do të përfundojë brenda mandatit, ndërsa projekti tjetër do të jetë rregullimi i stadiumit të qytetit me 7 mijë ulëse.