Kursi i këmbimit të euros ka rënë më poshtë kufirit të 100 lekëve ditën e martë në tregun e këmbimit valutor në Shqipëri.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit, monedha evropiane u këmbye me 99.86 lekë, niveli më i ulët i të gjitha kohërave. Me gjithë përpjekjet e Bankës së Shqipërisë, kursi i këmbimit e theu në fillim të kësaj jave zyrtarisht pragun e 100 lekëve, ndërsa rënia ka vijuar edhe ditën e martë.
Gjatë muajit gusht, kursi i euros duket se ndodhet nën efektin e presioneve të reja nënçmuese. Pasi rënia vjetore e kursit ishte minimizuar në muajin korrik, kjo rënie tashmë po thellohet përsëri. Sot euro këmbehet me një kurs prej pothuajse 4% më të ulët krahasuar me një vit më parë. Në mungesë të ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë, kjo rënie me siguri do të kishte qenë edhe më e madhe.
Leku u forcua edhe kundër dollarit amerikan, që zbriti në kuotën e 91.42 lekëve, në nivelet më të ulëta të këtij viti.
Nga ana tjetër, politika fiskale e qeverisë vazhdon të favorizojë një monedhë kombëtare të fortë. Pritej që rritja e pagave dhe përshpejtimi i ritmit të investimeve publike pas mesit të këtij viti të sillte ulje të suficitit buxhetor, por deri tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në fund të muajit qershor suficiti buxhetor arriti një rekord të ri historik për këtë periudhë të vitit, me 51.4 miliard lekë. Deficiti buxhetor është rritur me 11.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Një suficit i lartë i qeverisë ul ofertën e lekut në qarkullim dhe forcon më tej presionet nënçmuese mbi kursin e këmbimit euro-lek.
Një faktor tjetër që potencialisht mund të frenonte rënien e kursit ishte pritshmëria për rritjen e importeve të energjisë, për shkak të rreshjeve të pakta dhe uljes së prodhimit nga burimet hidrike. Megjithatë, burimet nga tregu shprehen se çmimet e energjisë nga importi kanë qëndruar relativisht të ulëta.
Një ndikim të madh besohet se ka pasur prodhimi i lartë i energjisë nga burimet diellore në vendet fqinje. Oferta e lartë nga fotovoltaikët bën që çmimet energjisë të jenë të qëndrueshme në pjesën më të madhe të ditës.
Leku i fortë vlerësohet të jetë një faktor i rëndësishëm në uljen e inflacionit, që prej muajsh ka zbritur pranë kufirit të 2%. Por, mbiçmimi i vazhdueshëm i monedhës vendase ndikon negativisht konkurrueshmërinë e sektorëve eksportues të ekonomisë. Për 6-mujorin e parë të vitit, eksportet e mallrave pësuan rënie me pothuajse 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.