Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, e ka pranuar se krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, dhe kryeministri Albin Kurti, i kanë dërguar një letër raportueses së Kosovës në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannisit.
Kusari – Lila tha se kjo është një letër standarde pa të cilën nuk do të votohej raporti për anëtarësim, i cili pritet të bëhet më 27 mars të këtij viti.
“Procedura standarde është se letra e krerëve të shtetit aspirues për anëtarësim duhet të përkushtohet për t’iu përmbajtur raportit që propozon anëtarësimin e shtetit të ri”.
“Letra nuk është asgjë më shumë se një formalitet që duhet përmbajtur, kurse pjesëve të raportit që iu referohet letra nuk janë pjesë por referencë tek opinioni i raportueses Bakoyannis”, tha Kusari – Lila.
Tutje, ajo tha se opinioni për Kosovën e përmend Marrëveshjen Bazike në tërësinë e saj, për të cilën tha se i referohet tërësisë së obligimeve nga kjo marrëveshje e që sipas Kusari – Lilës, në të hyn edhe njohja de-facto nga Serbia e anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare, njofton Klankosova.tv.Sot në media ka qarkulluar një letër ku thuhet se krerët e shtetit janë zotuar se do ta themelojnë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe pas anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.