Lidhja Demokratike Boshnjake ka reaguar pas takimit mes zv.kryeministrit dhe ministrit të marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve të Maqedonisë së Veriut, Ivan Stoillkoviq, me presidentin e entitetit Republika Srpska të Bosnjë e Hercegovinës, Milorad Dodik, transmeton Anadolu.
Sipas një deklarate të dërguar nga Lidhja Demokratike Boshnjake e Maqedonisë së Veriut, Stoiljkoviq dhe Dodik u takuan në ambientet e ministrisë, pavarësisht faktit se Dodik është në listën e zezë të SHBA-së “për shkak të politikave të tij gjenocidale dhe korrupsionit”.
“Kjo është një goditje e madhe për reputacionin e vendit tonë në komunitetin ndërkombëtar, gjë që shtron pyetjen nëse kjo qeveri vlerëson fare vlerat evropiane në kuadër të respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe vlerave civilizuese të përcaktuara me akte ndërkombëtare, mbi bazën e të cilave janë dënuar individë të caktuar dhe me glorifikimin e të cilëve dhe me gjuhën e urrejtjes, Dodik e krijoi dhe e vazhdon ende karrierën e tij politike! Kjo seriozisht vë në pikëpyetje strategjinë tonë për integrimin evropian dhe marrëdhëniet ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e Lidhjes Demokratike Boshnjake.
Reagoi edhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Sipas kësaj partie opozitare, Dodik është “krahu i zgjatur i Vladimir Putinit, njeriu që punon për ndarjen e Bosnjë dhe Hercegovinës, dhe njeriu që lavdëron masakrën çnjerëzore të Srebrenicës”.
Ndryshe, dje në Teatrin Popullor Maqedonas në Shkup u mbajt “Akademia e Shën Savës”, në të cilën përveç Dodikut morën pjesë edhe ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Bratislav Gashiq, dhe ai i Kulturës, Nikolla Selakoviq. Nga Mali i Zi, i pranishëm ishte kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe patriarku serb Porfirije dhe ambasadori rus në Maqedoni, Sergej Bazdniki.