Në një seancë të përbashkët të posaçme, parlamenti i Francës ka votuar për të përfshirë të drejtën e abortit në Kushtetutën e vendit, duke e bërë atë vendin e parë në botë që e bën këtë, transmeton Anadolu.
Gjithsej 780 deputetë dhe senatorë miratuan futjen në nenin 34 të Kushtetutës fjalinë “Ligji përcakton kushtet në të cilat ushtrohet liria e garantuar e grave për të pasur mundësinë e ndërprerjes vullnetare të shtatzënisë”. Vetëm 72 ligjvënës votuan kundër.
Qindra demonstrues u mblodhën në Pallatin Versailles nën flamurin e shoqatës Marshimi për Jetën, pranë vendit ku u mbajt votimi, duke e përshkruar ditën si “një ditë zie”.
Ata akuzuan gjithashtu qeverinë për shmangie të përgjegjësive të saj ndaj grave shtatzëna, veçanërisht atyre të reja, për të lehtësuar shtatzëninë e tyre dhe për të ofruar kushte të shëndetshme të favorshme për lindjen e fëmijëve.
Katër ditë para 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, seanca e posaçme përfundoi një betejë të gjatë politike të inicuar nga e majta, e miratuar përfundimisht nga qeveria pas disa nismave parlamentare.
Kjo ditë, e cilësuar si historike nga mbështetësit e masës, vjen në prag të 50-vjetorit të legjislacionit të vitit 1975 që legalizoi abortin në Francë.
Kryeministri Gabriel Attal përshëndeti “një hap që do të hyjë në histori”, duke deklaruar, “Franca është besnike ndaj trashëgimisë së saj… (si një) atdhe i të drejtave të njeriut dhe mbi të gjitha të drejtave të grave”.
Presidenti Emmanuel Macron në platformën sociale X vlerësoi vendimin përfundimtar, duke e quajtur atë një akt të “krenarisë franceze” dhe gjithashtu njoftoi se një ceremoni për vulosjen e ndryshimit kushtetues do të zhvillohet më 8 mars.